

Arrestimi i Fatjon Prendit në Greqi, i konsideruar si drejtues i një grupi kriminal që u kap me mbi një ton drogë dhe një arsenal armësh, ka zbuluar një element të ri tronditës: lidhjen e tij të ngushtë me Alfons Ndocin, shqiptarin 35-vjeçar që u ekzekutua brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo, në qershor 2024.
Hetimet e policisë greke kanë konfirmuar se Prendi dhe Ndoci jo vetëm që njiheshin, por kishin krijuar një miqësi të fortë, ndërsa të dy figurojnë në dosjet e autoriteteve si pjesë e aktiviteteve kriminale të organizuara dhe me rrezikshmëri të lartë.
Profili i Alfons Ndocit përshkruan një jetë të mbushur me dhunë dhe arratisje spektakolare. Në vitin 2014, gjatë një grabitjeje në Elefsina, ai qëlloi për vdekje pronarin e një dyqani që tentoi të rezistonte. Katër vite më vonë, në 2018, Ndoci arriti të arratisej nga një mjet transporti të të burgosurve në portin e Pireut, ndërsa po dërgohej drejt Kretës, por pas disa ditësh u rikthye në pranga nga forcat speciale.
Në qershor 2023, ai u arrestua sërish në Athinë, këtë herë në shoqërinë e Gerald Jahos. Pas një ndjekjeje të fortë policore, ata u kapën me dy armë zjarri, një sasi droge dhe mijëra euro cash. Në atë kohë, Ndoci ishte shpallur në kërkim për disa akuza të rënda, përfshirë grabitje dhe armëmbajtje, ndërsa i kishte të pashlyera edhe dy dënime më të vjetra. Tentativa e tij për t’u arratisur shkaktoi përplasje me automjete në rrugët e Athinës, por përfundoi i arrestuar.
Zbulimi i marrëdhënies së tij me Fatjon Prendin ka hapur një pistë të re hetimi mbi rrjetet kriminale shqiptare në Greqi, duke ngritur dyshime mbi shtrirjen dhe organizimin e tyre në nivele më të larta se sa mendohej deri më tani. Autoritetet greke po e shohin këtë lidhje si një element kyç për të kuptuar dimensionet e vërteta të aktiviteteve të grupeve shqiptare në rajon.