
Vijon operacioni Members, Policia e Tiranës vë në pranga një tjetër pjesëtar të grupit që shiste armë zjarri në kryeqytet
Policia e Tiranës ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një tjetër aksion kundër trafikut të armëve të zjarrit, në kuadër të operacionit të koduar Members. Si rezultat i hetimeve, është arrestuar shtetasi Ardian Cuku, 31 vjeç, banues në Kamëz.
Sipas njoftimit zyrtar, Ardian Cuku dyshohet se ka qenë pjesë e të njëjtit grup kriminal me shtetasit B. J. dhe Xh. Sh., të arrestuar më herët, të cilët merreshin me shitjen e armëve të zjarrit në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjykata e Tiranës i ka caktuar 31-vjeçarit masën e sigurisë Arrest në burg, për veprën penale Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, e kryer në bashkëpunim.
Operacioni Members ishte zhvilluar fillimisht më 17 dhjetor 2025 nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në koordinim me Prokuroria e Tiranës. Gjatë fazës së parë të aksionit, policia arrestoi dy persona dhe sekuestroi dy pistoleta me municion luftarak.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe operative, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë edhe Ardian Cukun, duke dokumentuar rolin e tij në aktivitetin kriminal të grupit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e këtij rrjeti dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
