
Operacioni i Policisë pas një hetimi disamujor zbulon abuzime me shpronësimet dhe dëme të mëdha në buxhetin e shtetit
Një operacion i gjerë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare është finalizuar mbrëmjen e djeshme në Kosovë, duke çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë, mes tyre edhe një ish-ministër. Lajmi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas Sveçlës, operacioni është zhvilluar pas një hetimi disamujore nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet relevante, dhe është mbështetur në informacione të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në veprime të paligjshme të lidhura me procesin e shpronësimit të pronave private.
Ministri deklaroi se personat nën hetim kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë çështje dyshohet se janë të përfshirë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, J.M., disa zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., eksperti i gjykatës Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës, G.L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, F.I.
Hetimet paraprake tregojnë se grupi ka iniciuar dhe depozituar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me synimin për përfitime të paligjshme nga fondet publike, përmes rikompensimeve të padrejta për shpronësime të realizuara gjatë viteve 2011–2015.
“Koha kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar ka përfunduar,” deklaroi Sveçla, duke përgëzuar institucionet për bashkëpunimin dhe profesionalizmin në këtë operacion.
Ai theksoi se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi qytetar po japin rezultate konkrete në forcimin e shtetit ligjor dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
