
Rrjeti shqiptaro-italian vepronte prej 5 vitesh në katër shtete, ndërsa në Shqipëri arrestohet oficeri i Antiterrorit Igli Haxhiaj
Një operacion i gjerë ndërkombëtar është zhvilluar që prej orëve të para të mëngjesit në Itali, Shqipëri, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke goditur një prej rrjeteve më të strukturuara të trafikut të drogës në Europë. Me urdhër të Gjykatës së Brescias, janë ekzekutuar 24 masa sigurie, shumica ndaj shtetasve shqiptarë.
Në Shqipëri, me urdhër të SPAK, është arrestuar oficeri i Antiterrorit Igli Haxhiaj, i dyshuar për implikim në trafikun e heroinës që transportohej nga Shqipëria drejt Italisë. Paralelisht, rrjeti trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut, duke përdorur portet kryesore të Europës Veriore si pikë kalimi.
Operacioni, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Brescias dhe mbështetur nga Europol, Eurojust dhe autoritetet shqiptare e zvicerane, është kulminim i pesë viteve hetime intensive nga viti 2020 deri në 2025. Hetimet kanë zbuluar një strukturë kriminale me qendra logjistike në Rovato dhe Palazzolo, ku droga magazinohej dhe shpërndahej në provincën e Brescias.
Janë sekuestruar rreth 3 milionë euro pasuri, 10 automjete, një armë zjarri dhe 130 kilogramë drogë – heroinë dhe kokainë – me vlerë tregu rreth 12 milionë euro. Sipas hetuesve, rrjeti ka transportuar mbi 1,300 kilogramë kokainë përmes kamionëve të modifikuar, ndërsa paratë e fituara dërgoheshin me autobusë nga Italia në Shqipëri.
Mbi 150 oficerë italianë të Guardias di Finanza, së bashku me njësitë speciale dhe qentë antikanabis e antiparaport, po kryejnë kontrolle të shumta në disa rajone të Italisë, me synim finalizimin e plotë të goditjes së grupit kriminal.
Në total, nën hetim janë 49 persona, përfshirë 46 shqiptarë, ndërsa 10 prej tyre janë arrestuar gjatë operacionit të sotëm. Autoritetet theksojnë se kjo është një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut shqiptaro-italian të narkotikëve në vitet e fundit.
