
Mbrojtësi 23-vjeçar zgjedh të ardhmen me helvetët, duke lënë boshllëk në mbrojtjen kuqezi
Adrian Bajrami, talenti 23-vjeçar i lindur në Winterthur me origjinë shqiptare, ka marrë për herë të parë ftesë nga kombëtarja e Zvicrës. Lajmi vjen vetëm një muaj pasi ai vendosi të refuzojë përfaqësimin me Shqipërinë, ndonëse kishte qenë pjesë e planeve të stafit teknik kuqezi në grumbullimet e fundit.
Trajneri zviceran e ka përfshirë Bajramin në listën e tetorit, ku helvetët do të përballen me dy sfida të forta në eliminatoret e Botërorit 2026: më 10 tetor ndaj Suedisë dhe më 13 tetor kundër Sllovenisë, të dyja në transfertë.
Ky hap shënon një moment kthese në karrierën e mbrojtësit, i cili tashmë do të testohet në nivele të larta ndërkombëtare. Por për Shqipërinë, largimi i tij është një humbje e dukshme, pasi Bajrami shihej si një alternativë premtuese për mbrojtjen, një repart që ka vuajtur shpesh për stabilitet.
Zgjedhja e Bajramit ringjall debatin e vjetër mbi talentet shqiptare që rriten jashtë vendit dhe preferojnë fanellën e shteteve ku lindin, duke lënë Kombëtaren kuqezi përballë një sfide të vazhdueshme: mbajtjen e lojtarëve më premtues nën flamurin shqiptar.