
Operacioni Fishat çon në pranga përgjegjësin e aktivitetit ilegal, organizatori shpallet në kërkim dhe nis hetim disiplinor për policë që nuk vepruan
Një kazino e paligjshme që funksiononte në qytetin e Lezhës është goditur nga Policia e Shtetit, duke shënuar mbylljen e një aktiviteti të paligjshëm ku përveç lojërave të fatit dyshohet se tregtohej edhe lëndë narkotike. Si rezultat i operacionit policor të koduar Fishat, është arrestuar përgjegjësi i kazinosë, ndërsa organizatori i aktivitetit është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me strukturat për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar. Hetimet kishin zbuluar se në një godinë trekatëshe në bulevardin Gjergj Fishta ishte përshtatur një ambient i mirëorganizuar për ushtrimin e lojërave të paligjshme të fatit.
Gjatë kontrollit në objektin e marrë me qira nga një 24-vjeçar, policia gjeti dhe sekuestroi 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi, disa doza kokaine, si dhe shuma të konsiderueshme parash që përfshijnë 725 mijë lekë të rinj, euro dhe dollarë.
Në pranga përfundoi një 47-vjeçar, i cili akuzohet për një sërë veprash penale që lidhen me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, fshehjen e të ardhurave, mospagimin e taksave dhe pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale. Ndërkohë, 15 persona të tjerë që u kapën duke luajtur në ambientet e kazinosë u proceduan penalisht.
Policia ka shpallur në kërkim edhe një 24-vjeçar, i cili dyshohet se ka qenë organizatori kryesor i aktivitetit dhe kishte marrë me kontratë qiraje godinën e përshtatur për kazino. Vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Paralelisht me hetimin penal, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedura disiplinore ndaj disa drejtuesve dhe punonjësve të policisë, të cilët dyshohet se nuk kanë ndërmarrë masa për evidentimin dhe goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore.
