
Verdheblutë mposhtin Vorën 1-0 në shtesë dhe shkëputen në krye të Superiores
Elbasani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Vorës me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 16-të të Superiores, duke u shkëputur në krye të renditjes.
Takimi u vendos në minutën e katërt shtesë, kur Ze Gomesh shënoi golin e vetëm të sfidës me një parabël të saktë, në aksionin e fundit të ndeshjes, duke shpërthyer festën në kampin verdheblu.
Gjatë 90 minutave, loja ishte e ekuilibruar dhe me pak raste të pastra shënimi. Të dyja skuadrat u përpoqën të gjenin golin e avantazhit, por mungoi konkretizimi deri në momentet e fundit të takimit.
Me këtë sukses, Elbasani konfirmon formën e mirë dhe mbron vendin e parë në renditje. Skuadra e drejtuar nga Gvozdenoviçi kryeson Superiores me 32 pikë, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivave të sezonit.
