
Skena shqetësuese po raportohen nga stadiumi “Dubočica” në Leskovac, ku po zhvillohet ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë për Kualifikueset e Kupës së Botës.
Menjëherë pas golit të avantazhit të shënuar nga Rey Manaj, një pjesë e tifozëve serbë kanë shpërthyer në thirrje alarmante, duke brohoritur “Vrite, vrite shqiptarin!”, thirrje të rënda këto që kanë nxitur reagime në rrjetet sociale.
Përveç thirrjeve, në tribunat e stadiumit është shfaqur edhe një banderolë me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb, një provokim i hapur që bie ndesh me rregullat e UEFA-s dhe mund të sjellë pasoja serioze disiplinore për Federatën e Futbollit të Serbisë.
Sipas mediave të pranishme në terren, atmosfera në stadium mbetet shumë e tensionuar, ndërsa forcat e sigurisë janë në gatishmëri të lartë për të shmangur incidente të mundshme.Ndërkohë, ka nisur pjesa e dytë e ndeshjes, dhe Shqipëria vijon të jetë në epërsi. Kuqezinjtë po kërkojnë të ruajnë rezultatin historik përballë Serbisë në tokën e saj.