
Amerikanët dominojnë renditjen globale, mes emrave më të kërkuar edhe Papa Leo XIV dhe kryeministrja e parë grua e Japonisë
Donald Tramp ka qenë lideri politik më i kërkuar në Google gjatë vitit 2025, sipas renditjes zyrtare “Year in Search” të publikuar nga gjigandi i teknologjisë. Rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm, politikat e diskutueshme dhe prania e vazhdueshme publike e kanë mbajtur Tramp në krye të interesit global gjatë gjithë vitit.
Lista e këtij viti dominohet kryesisht nga figura politike amerikane, por përfshin edhe emra që kanë shënuar momente historike në skenën ndërkombëtare. Në mesin e tyre është Papa Leo XIV, i zgjedhur në maj 2025 si Papa i parë me origjinë amerikane. Edhe pse lider fetar, zgjedhja e tij ngjalli interes të jashtëzakonshëm politik dhe shoqëror në mbarë botën.

Një tjetër emër shumë i kërkuar ishte Sanae Takaichi, e cila në vitin 2025 u bë gruaja e parë kryeministre e Japonisë. Deklaratat e saj për Tajvanin dhe rolin e mundshëm të Japonisë në rast të një konflikti me Kinën e rritën ndjeshëm vëmendjen globale ndaj saj.

Në listë figuron edhe Kamala Harris, ish-nënpresidentja amerikane që humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 përballë Trump. Pavarësisht humbjes, ajo mbeti një figurë e rëndësishme politike gjatë vitit 2025 përmes angazhimeve publike dhe debateve mbi politikat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, interes të lartë kërkimi pati edhe Zohran Mamdani, i cili u zgjodh kryetar bashkie i Nju Jorkut, duke u bërë kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit. Fushata e tij dhe përplasjet verbale me Donald Tramp e mbajtën Mamdanin në qendër të vëmendjes mediatike.

Renditja e Google “Year in Search 2025” reflekton qartë se politika globale, ndryshimet historike dhe figurat kontroverse vazhdojnë të jenë motorët kryesorë të interesit të publikut në internet, me Donald Trump që edhe këtë vit ka dominuar pa rival në kërkimet globale.
