Hetimet për grabitjen e shekullit në Muzeun e Luvrit po sjellin zhvillime të reja. Pesë persona u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës në rajonin e Parisit, ndërsa bizhuteritë e vjedhura me vlerë 88 milionë euro mbeten ende të zhdukura.
Policia franceze ka realizuar një tjetër operacion të suksesshëm në hetimin e grabitjes spektakolare të Luvrit. Pesë persona u arrestuan njëkohësisht në disa zona të rajonit parizian mbrëmjen e 29 tetorit, rreth orës 21:00. Arrestimet u konfirmuan nga prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, e cila theksoi se një prej të ndaluarve ishte “objektivi kryesor i hetuesve”.
Këto zhvillime vijnë pas vendimit për burgim të përkohshëm të dy personave të tjerë, të cilët pranuan pjesërisht përfshirjen e tyre në grabitje. Të dy përballen me akuzat për “vjedhje në grup të organizuar” dhe “shoqatë kriminale”, që parashikojnë deri në 15 vjet burg.
Grabitja ndodhi më 19 tetor në Galerinë Apollo të Luvrit dhe zgjati vetëm shtatë minuta. Hajdutët hynë në muze duke përdorur një platformë ndërtimi dhe u larguan me tetë bizhuteri historike, përfshirë diadema dhe stoli të perandoreshës Eugénie, me një vlerë totale rreth 88 milionë euro. Dy nga sendet e vjedhura, mes tyre kurora e Eugénie, janë gjetur të dëmtuara pranë muzeut.
Sipas hetimeve, një prej autorëve u tradhtua nga gjurmët e ADN të gjetura në vendngjarje. Dy nga të dyshuarit e parë ishin nga veriu i Parisit , njëri prej tyre i arrestuar në aeroportin Charles-de-Gaulle ndërsa përgatitej të fluturonte për në Algjeri.
Megjithëse pesë arrestimet e fundit përbëjnë një përparim të rëndësishëm, bizhuteritë e vjedhura mbeten ende të pazbuluara. Prokurorja Beccuau ka pranuar se asnjë gjurmë konkrete për vendndodhjen e tyre nuk është gjetur deri tani, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pas grabitjes të qëndrojë një rrjet më i gjerë kriminal.
Një raport i Cour des Comptes ka vënë në dukje mungesat serioze në sistemet e sigurisë të muzeut, ku disa sektorë nuk kishin as kamera funksionale. Drejtoresha e muzeut, Laurence des Cars, ka pranuar se pajisjet e mbrojtjes ishin të vjetruara dhe jo të përshtatura për një sulm të këtij lloji, ndërsa ministrja e Kulturës, Rachida Dati, e ka cilësuar rastin një dështim që nuk mund të kalojë pa pasoja.
Hetimet vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa policia franceze kërkon ende gjurmë të reja për të rikuperuar thesarin historik të Francës që u zhduk në vetëm shtatë minuta.
