
Dy persona të maskuar sulmuan viktimën në bulevardin Haussmann, dëmi arrin rreth 100 mijë euro
Një grabitje e rëndë ka tronditur Parisin pasditen e së shtunës, kur një grua është sulmuar brenda banesës së saj nën kërcënimin e një arme zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në bulevardin Haussmann, në Paris, mes stacionit Saint-Lazare dhe Harkut të Triumfit, sipas burimeve policore të cituara nga Le Figaro.
Sipas hetimeve paraprake, gruaja hapi derën e apartamentit për dy persona, të cilët menjëherë mbuluan fytyrat me maska dhe u futën me forcë brenda. Ajo u kërcënua me armë zjarri dhe u godit disa herë në fytyrë, për ta detyruar të hapte kasafortën e banesës.
Autorët u larguan duke marrë ora luksoze, çanta dhe bizhuteri, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet rreth 100 mijë euro. Viktima, e tronditur dhe me lëndime të lehta, mori ndihmën e parë nga shërbimet e zjarrfikëses dhe u trajtua në vend.
Prokuroria e Parisit ka konfirmuar se është hapur një hetim për zhvatje nën kërcënimin e armës dhe dhunë të rënduar, ndërsa çështja i është kaluar Policisë Gjyqësore. Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë në vijim për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes.
