Policia greke është surprizuar nga rezultatet e ekspertizës balistike të armëve të sekuestruara në banesat e 45-vjeçarit Dhimo Meci nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës.
Bëhet fjalë për një pistoletë “Glock” të kalibrit 9 mm. Arma rezulton e përdorur në një grabitje në zonën e Nikeas në Athinë në maj 2012 ku pati edhe të shtëna.
Në atë kohë, persona të panjohur kishin ndaluar një postier në rrugën “Sinopis” dhe nën kërcënimin e armës, i kishin marrë të gjitha paratë që kishte me vete. Në fakt, para se të largoheshin, ata kishin hapur zjarr. Një vit më vonë, grabitja u zbardh dhe pesë persona u nxorën para drejtësisë.
Hetimi i atëhershëm zbuloi se autorët e krimit ishin dy vëllezër nga Shqipëria, një grek dhe vëllezërit Lala. Njëri prej vëllezërve Lala, pikërisht Jani dhe atentati ndaj tij, janë arsyeja që çoi në arrestimin e shqiptarit Dhimo Meci. Kjo ka çuar policinë në nisjen e hetimeve për të zbuluar marrëdhënien që ka pasur Dhimo Meci me personin për të cilin u pagua për ta vrarë, pikërisht 41-vjeçarin grek Jani Lala.
