
Njëri prej të dyshuarve arrestohet, policia në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të tjerë
Policia e Tiranës ka zbardhur një rast grabitjeje me dhunë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në kryeqytet, ku tre persona kanë sulmuar shitësin e një biznesi dhe i kanë marrë një shumë prej 100 mijë lekësh të rinj.
Sipas njoftimit zyrtar, autorët kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të një tabakinoje në zonën e njohur si Kthesa e Kamzës, duke arritur të marrin paratë dhe të largohen nga vendngjarja. Pas njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për identifikimin e autorëve.
Si rezultat i hetimeve të shpejta, policia ka identifikuar tre shtetas si autorë të dyshuar të grabitjes. Njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e dy të tjerëve që janë shpallur në kërkim.
Burime nga policia bëjnë me dije se të tre të dyshuarit janë persona me precedentë të theksuar penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe pronës. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për zbardhjen e çdo rrethane që lidhet me këtë rast grabitjeje me dhunë.
