

Erërat dhe terreni i thyer mbajnë të gjallë vatrat e zjarrit, kërkohet ndërhyrje shtesë për të mbrojtur banesat dhe pyjet.
Një vatër e fuqishme zjarri është riaktivizuar këtë fundjavë në fshatin Bulçar, Njësia Administrative Kodovjat, Bashkia Gramsh, duke e rikthyer zonën në emergjencë. Zjarri u shfaq në orët e para të së shtunës dhe, për shkak të përhapjes së shpejtë në masivet pyjore, u krijuan fronte të shumta që vështirësuan ndërhyrjen.
Deri në mbrëmje, një pjesë e flakëve u arrit të izolohej, por situata mbetet e brishtë dhe rreziku i riaktivizimit është i lartë. Ngjarja ngjall kujtimet e gushtit 2025, kur zjarret shkatërruan sipërfaqe të mëdha pyjore dhe shkaktuan dëme të rënda mjedisore e materiale.
Shefi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Gramsh, Ilir Llapushi, tha se gjatë gjithë ditës ekipet zjarrfikëse, punonjësit e bashkisë dhe vullnetarët kanë punuar pa ndërprerje, por era dhe temperaturat e larta e mbajnë zjarrin shumë aktiv dhe e bëjnë të vështirë kontrollin.
Autoritetet vendore po kërkojnë angazhim shtesë logjistik e njerëzor nga strukturat qendrore për të shmangur përhapjen drejt banesave dhe për të mbrojtur zonat me rëndësi ekonomike e mjedisore.