Një episod i papranueshëm ndodhi mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Granit Xhaka – kapiteni i Zvicrës, mesfushori i kombëtares që na ka bërë të ndihemi krenarë dhjetëra herë – u fishkëllye nga tifozët kosovarë sa herë prekte topin. Ndeshja Kosovë–Zvicër përfundoi 1:1, duke e kualifikuar Zvicrën në Kupën e Botës 2026, ndërsa Kosova e ka të siguruar pjesëmarrjen në “play-off”.
Xhaka u shfaq i habitur dhe i lënduar nga reagimi:
“Jam i befasuar që jam fishkëllyer. Dhemb, por duhet ta pranoj. Mundohem të koncentrohem në futboll. Gjithnjë kam pasur përkrahjen e tifozëve të Zvicrës.”
Dhe me të drejtë. Sepse ky ishte një moment që nuk i bën nder askujt. Jo një kapiteni që gjithnjë ka folur shqip me zemër. Jo një sportisti që s’ka harruar kurrë rrënjët. Jo një qytetari që ka treguar integritet, vlera dhe dinjitet në çdo hap të karrierës.
Ky është një akt i shëmtuar ndaj Granit Xhakës – një lojtar që në çdo fushë ku ka luajtur ka pasur me vete historinë, krenarinë dhe identitetin e shqiptarëve. Dhe meriton vetëm respekt.
