
Sindikatat italiane paralajmërojnë protesta kombëtare pasi anijet e “Global Sumud Flotilla” me aktivistë dhe parlamentarë europianë u ndaluan nga ushtria izraelite.
Italia është përfshirë nga tensionet politike dhe sociale pas ndalimit të Global Sumud Flotilla, një flotilje prej mbi 40 anijesh civile me rreth 500 aktivistë, parlamentarë dhe juristë nga vende të ndryshme, mes tyre edhe qytetarë italianë, që transportonin ushqime dhe ilaçe për Gazën.
Pas lajmeve për ndalimin e flotiljes nga ushtria izraelite, sindikatat italiane shpallën një grevë të përgjithshme për të premten. CGIL, një nga konfederatat më të mëdha sindikale, e cilësoi ndërhyrjen si një akt agresioni shumë serioz ndaj anijeve civile ku ndodheshin edhe qytetarë italianë. Grevës pritet t’i bashkohen edhe sindikata të tjera më të vogla. Në Napoli, demonstruesit hynë në stacionin kryesor të trenave, duke bllokuar qarkullimin. Në Romë, policia rrethoi hyrjet e stacionit Termini, pasi protestuesit u grumbulluan pranë tyre. Në Gjenova, sindikata USB paralajmëroi bllokimin e portit dhe thirri protestuesit të mblidhen në hyrjet kryesore.
Ndërkohë, prej dy javësh, punëtorët e porteve italiane kanë refuzuar të ngarkojnë ose të shkarkojnë anije që, sipas tyre, janë të lidhura me tregtinë izraelite, duke u bërë pjesë aktive e fushatës së solidaritetit me Palestinën.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se kishte marrë garanci nga homologu izraelit se ushtria nuk do të përdorte dhunë ndaj aktivistëve. Megjithatë, raportimet për ndalim dhe ndërhyrje të armatosur kanë ndezur indinjatën e sindikatave dhe shoqërisë civile.
Ky zhvillim vjen pas një tjetër greve të përgjithshme më 22 shtator në Milano, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.