
Nëna e njërit prej fëmijëve të Musk pretendon se chatbot-i i xAI ka gjeneruar imazhe seksuale pa pëlqim, përfshirë edhe kur ajo ishte e mitur, duke hapur një debat të fortë mbi sigurinë e inteligjencës artificiale.
Ashley St Clair, shkrimtare dhe komentatore politike, ka ngritur padi ndaj kompanisë xAI të Elon Mask, duke e akuzuar se chatboti Grok është përdorur për të krijuar imazhe seksuale të sajuara pa pëlqimin e saj. Sipas padisë së depozituar në Nju Jork, këto përmbajtje përfshijnë edhe imazhe ku ajo paraqitet si e mitur, çka e bën çështjen veçanërisht të rëndë.
Në dokumentet e gjykatës thuhet se Grok ka shërbyer si mjet për zhveshje digjitale, poshtërim dhe shfrytëzim seksual, duke gjeneruar përmbajtje intime të rreme ndaj personave realë. St Clair kërkon dëmshpërblim për dëmin emocional dhe shkeljen e privatësisë, si dhe gjykim nga juria.
Padia vjen në një moment kur xAI po përballet me hetime nga autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare për përhapjen e përmbajtjeve të rrezikshme dhe abuzive përmes inteligjencës artificiale. Vetëm pak ditë më parë, kompania njoftoi se Grok nuk do të modifikojë më imazhe të personave realë në mënyrë eksplicite, pas reagimeve të forta publike.
Nga ana e tij, Elon Musk ka deklaruar se nuk ka dijeni për gjenerimin e përmbajtjeve të paligjshme dhe ka theksuar se Grok është i ndërtuar për të respektuar ligjet e çdo shteti. Megjithatë, St Clair ka reaguar ashpër, duke thënë se masat e marra janë thjesht kontroll dëmi pas një abuzimi të ndodhur dhe jo siguri reale.
Rasti pritet të ketë jehonë të gjerë, pasi rikthen në qendër të debatit global rrezikun e deepfake-ve, mungesën e mbrojtjes efektive për viktimat dhe përgjegjësinë ligjore të kompanive që zhvillojnë teknologji të avancuara të inteligjencës artificiale.
