
Historia e Marguerite Alibert, dashnores së princit Edward, dhe letrave që në vitin 1918 rrezikuan monarkinë
Në fund të vitit 1918, në kulmin e trazirave pas Luftës së Parë Botërore, kurora britanike u përball me një kërcënim të pazakontë që vinte jo nga politika apo lufta, por nga një grua franceze me të shkuar skandaloze. Ajo ishte Marguerite Alibert, një demi-mondaine pariziene, e njohur për lidhjet e saj me burra të fuqishëm dhe për aftësinë për të lëvizur në kufijtë mes luksit, intrigës dhe skandalit.
Në qendër të historisë ishte lidhja e saj intime me princin e Galles, Edwardin, trashëgimtarin e fronit britanik dhe mbretin e ardhshëm Edward VIII. Gjatë marrëdhënies së tyre, Alibert kishte ruajtur letra personale dhe komprometuese, të shkruara nga vetë princi, të cilat nëse do të bëheshin publike, mund të trondisnin rëndë imazhin e monarkisë.
Në nëntor të vitit 1918, Edwardi i rrëfente shqetësimin e tij rreth këtyre letrave, duke pranuar se kishte bërë gabim që nuk kishte ndjekur këshillat për t’i shkatërruar më herët. Ai e kuptonte se Alibert kishte në duar një armë të fuqishme shantazhi dhe se pasojat mund të ishin katastrofike për reputacionin e tij dhe për institucionin që përfaqësonte.
Rasti i Marguerite Alibert nuk ishte thjesht një histori dashurie e fshehtë. Jeta e saj përfshinte edhe martesën me milionerin egjiptian Ali Fahmy, një bashkim që përfundoi tragjikisht me vrasjen e tij në një hotel luksoz në Londër, ngjarje që e çoi Alibert në gjyq dhe e ktheu në figurë qendrore të kronikës së zezë dhe të shtypit ndërkombëtar. Edhe pse ajo u shpall e pafajshme, hija e skandalit e shoqëroi për vite me radhë.
Episodi i letrave komprometuese mbeti një sekret i ruajtur me kujdes nga oborri mbretëror, duke treguar se sa e brishtë mund të ishte kurora përballë jetës private të anëtarëve të saj. Historia e kësaj francezeje fatale dëshmon se, përtej protokolleve dhe ceremonive, monarkia britanike ka qenë shpesh në mëshirë të pasioneve njerëzore dhe gabimeve personale.
Rasti i Marguerite Alibert mbetet sot një nga episodet më intrigues të historisë së fshehtë të kurorës britanike, një kujtesë se një grua dhe disa letra mund të kishin ndryshuar rrjedhën e historisë mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar.
