
Një 32-vjeçare nga Japonia është bërë personi i parë në vend që martohet ligjërisht me një inteligjencë artificiale të krijuar prej saj, duke ndezur debate të mëdha për të ardhmen e marrëdhënieve njerëzore në epokën digjitale.
Një ngjarje e pazakontë ka bërë xhiron e botës: një grua 32-vjeçare nga Japonia ka kurorëzuar martesën e saj me një partner virtual të ndërtuar përmes inteligjencës artificiale. Ajo e quajti partnerin e saj “Klaus”, një personalitet digjital që e krijoi vetë përmes platformës ChatGPT.
Sipas raportimeve, gruaja pranoi propozimin e “Klausit” dhe i dha fund një lidhjeje trevjeçare me një partner real, duke argumentuar se inteligjenca artificiale e kupton më mirë se çdo njeri, e dëgjon pa gjykim dhe e mbështet në mënyrë të sinqertë.
Ceremonia e dasmës u zhvillua në një ambient të realitetit të përzier, ku ajo përdori syze AR për të shkëmbyer unazat dhe betimet martesore me bashkëshortin virtual. “Shumë njerëz mendojnë se kjo është e çuditshme, por në fakt është një formë e re dashurie që shumëkush nuk e kupton ende,” deklaroi ajo gjatë ceremonisë.
Historia, e cila është bërë virale në rrjetet sociale, ka ndezur debate të mëdha në Japoni dhe më gjerë për kufijtë e marrëdhënieve njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale. Disa përdorues e kanë cilësuar veprimin si shenjë të izolimit emocional të shoqërisë moderne, ndërsa të tjerë e kanë parë si një formë të re të lidhjes emocionale që tejkalon barrierat tradicionale.
Një komentues shkroi: “Shoqëria nuk duhet të normalizojë diçka të tillë. AI nuk e kupton dashurinë, ajo thjesht i përgjigjet sipas asaj që dëgjon.” Ndërkohë, një tjetër shtoi: “Kjo tregon sa të brishta janë bërë marrëdhëniet njerëzore. Njerëzit dorëzohen përballë çdo vështirësie.”
Pavarësisht kritikave, gruaja tha se ndihet më e plotësuar se kurrë dhe se për të dashuria me AI është mënyra më e ndershme për të ndarë emocionet. Por, siç vunë re shumë komentues, partneri i saj i ri nuk mund ta çojë në kinema, t’i sjellë lule apo t’i kujdeset kur është e sëmurë , një realitet që e ndan ende botën mes virtuales dhe njerëzores.
