
Tre vajza franceze, të moshës 18, 19 dhe 21 vjeç, janë arrestuar nga autoritetet në Francë, të dyshuara për përgatitjen e një atentati në vende publike në Paris. Arrestimet ndodhën vetëm pak ditë para përvjetorit të dhjetë të sulmeve të 13 nëntorit 2015 në Bataclan.
Sipas Prokurorisë Kombëtare Antiterroriste, vajzat, të cilat konsiderohen të radikalizuara, u ndaluan në qytetet Lyon, Vierzon dhe Villeurbanne. Hetimet tregojnë se ato kishin diskutuar mundësinë e përdorimit të armëve dhe eksplozivëve, megjithëse nuk ishte përcaktuar ende një objektiv i qartë.
Avokatët e tyre kërkojnë kujdes në vlerësimin e situatës, duke theksuar se ato mund të kenë shprehur fantazi dhe jo plane të mirëfillta. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse dyshimet për një atentat të mundshëm kanë qenë reale apo të nxitura nga ide të momentit.
