
“Pavarësia e Bankës së Shqipërisë është cenuar”. Kështu është shprehur guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.Sejko ka bërë një deklaratë të pazakontë, duke shprehur shqetësimin për cenimin e pavarësisë së institucionit që drejton.
Gjatë raportimit vjetor për punën e institucionit që drejton, ai u shpreh se gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë është përballur me presione të vazhdueshme që kanë ndikuar në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese.
“Pavarësia e Bankës së Shqipërisë, shpesh herë ka element që ndikojnë. Bankës së Shqipërisë i kërkohet llogari që janë jashtë tagrit të saj, ky është cenim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë rëndë këtë gjë, por s’dua të hyj në detaje. Për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj, por s’dua të zgjatem”, tha Sejko.
Guvernatori Sejko nuk është ndalur më tej në detaje konkrete lidhur me natyrën apo dhe origjinën e presioneve në adresë të BSH.