
22-vjeçari publikonte video para dhe pas vjedhjeve, ndërsa policia i përdori pamjet si provë kyçe për ta dënuar me burg
Një grabitës në Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me burg pasi vetë e çoi policinë drejt provave kundër tij, duke filmuar veten para grabitjeve dhe duke u mburrur në rrjete sociale me paratë e fituara nga krimi.
Hamza Ghafoor, 22 vjeç nga Bradford, regjistroi video ku shfaqej i maskuar, duke u përgatitur për vjedhje, duke drejtuar makina luksoze dhe duke ekspozuar tufa parash të gatshme. Pamjet u publikuan në Facebook, por përfunduan si prova kryesore që çuan në arrestimin dhe dënimin e tij.
Ghafoor ishte pjesë e një bande prej gjashtë personash që kryen grabitje me vlerë të lartë në Lancashire gjatë muajve shtator–nëntor 2023, duke vjedhur kryesisht automjete luksoze. Policia zbuloi se banda udhëtonte nga Bradford drejt Lancashire për të kryer vjedhjet, shpesh duke lëvizur me shpejtësi të lartë dhe duke shkaktuar edhe aksidente.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet gjetën një çantë Louis Vuitton të mbushur me qindra doza kokaine dhe heroine, si dhe prova të tjera që lidhnin të riun me grabitjet. Hetuesit mblodhën gjithashtu ADN, gjurmë gishtash, pamje kamerash sigurie dhe një iPhone të dëmtuar të lënë në një nga makinat e vjedhura.
Policia e Lancashire e cilësoi Ghafoor si “jo hajdutin më të zgjuar”, duke theksuar se videot e tij u kthyen në dëshmi vendimtare për dënimin.
Në total, anëtarët e bandës u dënuan me 15 vite burg. Ghafoor mori dënimin më të rëndë, gjashtë vite heqje lirie, ndërsa bashkëpunëtorët e tij u dënuan me vite të tjera burgimi për rolin e tyre në grabitjet e organizuara.
