

Historia, moda dhe kujtimet e viktimave bashkohen në Hagë, ku Titanic rikthehet si një pasqyrë e kontrasteve shoqërore dhe sfidave të përjetshme.
Më shumë se njëqind vjet pas mbytjes së Titanikut, Kunstmuseum në Hagë ka hapur dyert për një ekspozitë të veçantë që ndërthur tragjedinë e anijes më të famshme në histori me pasurinë e modës së fillimshekullit të XX. E titulluar “Titanic and Fashion: The Last Dance”, shfaqja do të qëndrojë e hapur deri më 25 janar dhe përfshin, si veshje autentike të viteve 1910, ashtu edhe kostume të realizuara për filmin “Titanic” të vitit 1997, të cilat i sollën stilistes Deborah Lynn Scott çmimin Oscar.
Vizitorët do të mund të shohin fustanin krem me jakë blu të errët të veshur nga Kate Winslet në skenën e parë si Rose, fustanin e kuq prej mëndafshi dhe dantelle në takimin me Jack, si dhe fustanin e mbytjes të shtresuar me shifon nën një pallto rozë. Këto kostume vendosen pranë veshjeve të vërteta të epokës, si një fustan i bardhë me kadife vjollcë, i cili besohet se i përkiste Maria Henrietta Rowell-Rutgers van Rosenberg rreth vitit 1912.
Ekspozita nuk kufizohet vetëm tek aristokracia dhe bota e luksit: një vend të rëndësishëm zënë edhe veshjet e klasës punëtore, si këmisha kafe pa jakë dhe pantallonat me kadife që Leonardo DiCaprio veshi në rolin e Jack Dawson, krahas rrobave origjinale të punëtorëve dhe emigrantëve të kohës. Në këtë mënyrë, tregimi i tragjedisë së Titanikut merr një dimension shoqëror, duke kujtuar kontrastet mes pasurisë së kabinave luksoze dhe kushteve të vështira të pasagjerëve të klasës së tretë.
Një element i veçantë është lidhja e drejtpërdrejtë me Holandën: ekspozohen mobilie të prodhuara nga firma Mutters and Son, e cila kishte furnizuar kabinat luksoze të anijes, si dhe kujtime nga tre shtetasit holandezë që ishin në bord, dy prej të cilëve humbën jetën. Mes objekteve origjinale që vijnë nga vetë Titaniku, përfshihen një komplet enësh porcelani, të dërguara nga mjeku John Edward Simpson për familjen e tij, pak para nisjes së udhëtimit fatal, si dhe një kartolinë e pasagjerit holandez Johan George Reuchlin, e cila mbërriti në shtëpinë e tij në Rotterdam pasi lajmi i vdekjes së tij ishte bërë publik.
Kuratorja e muzeut, Margriet Schavemaker, thekson se ekspozita nuk është vetëm një përkujtim estetik, por edhe një reflektim mbi temat e përjetshme që lidhen me Titanikun: migracioni, kërcënimi i luftës, besimi në teknologji dhe përplasja me fuqinë e natyrës, të gjitha çështje po aq aktuale sot, sa në vitin 1912.