Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pensilvani të SHBA-së. Mësohet se një djalë 11-vjeçar ka vrarë të atin sepse i kishte marrë konsolën e lojërave Nintendo Switch.
Konkretisht incidenti ka ndodhur më 13 janar. Policia mbërriti në shtëpinë e familjes në orën 03:20 të mëngjesit, pas një raportimi për një burrë të pavetëdijshëm. Oficerët gjetën një burrë 42-vjeçar të vdekur në shtrat me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në kokë.
Oficerët thanë se ishte ditëlindja e djalit dhe se ai kishte hyrë në dhomën e gjumit duke bërtitur: “Babi ka vdekur”. Oficerët në vendngjarje raportuan gjithashtu se e dëgjuan djalin t’i thoshte nënës së tij: “Unë e vrava babin”.
Të shtënat thuhet se ndodhën pasi çifti kishte shkuar në shtrat pak pas mesnatës. Djali u tha autoriteteve se kishte kaluar një ditë të këndshme me prindërit e tij , por, sipas dokumenteve të gjykatës, u zemërua kur babai i tij i tha se ishte koha për të fjetur.
Sipas deklaratës me betim, djali i tha policisë se e gjeti çelësin e kasafortës së armëve të babait të tij në sirtarin e dhomës së gjumit të prindërve të tij. Ai e hapi atë ndërsa përpiqej të gjente Nintendo Switch-in e tij, i cili i ishte marrë më parë, dhe gjeti një armë.
Pastaj, siç pranoi ai, “nxori armën nga kasaforta, e mbushi me plumba dhe shkoi në shtratin e babait të tij. Ai tërhoqi këmbëzën dhe qëlloi të atin”.
Kur u pyet se çfarë mendonte se do të ndodhte kur të qëllonte me armë, djali tha se ishte i zemëruar dhe nuk e kishte menduar. Sipas mediave të huaja, 11-vjeçari tani përballet me akuza për vrasje të paqëllimshme.
