
Një rast në Britani ndez debat mes prindërve, shkollave dhe tarifave për kujdesin pas orarit mësimor
Një nënë nga Britania e Madhe ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale pasi bëri publik faktin se ishte gjobitur nga shkolla e vajzës së saj, vetëm sepse e kishte lënë fëmijën disa minuta më shumë pas përfundimit të mësimit.
Hannah Thompson, nënë e tre fëmijëve, tregoi se kishte harruar të merrte vajzën e saj shtatëvjeçare nga shkolla, pasi mendonte se ajo ndodhej në një klub pas shkolle. Sapo u njoftua nga stafi, ajo u kthye menjëherë për ta marrë, por disa muaj më vonë u informua se do t’i vinte një pagesë prej 5 paundësh për vonesën.
Sipas saj, bëhej fjalë për një gabim njerëzor dhe jo për neglizhencë të qëllimshme. Reagimi i shkollës e revoltoi edhe më shumë, pasi nëna ngriti shqetësime për ditët e shumta pa mësim për shkak të motit, trajnimet e mësuesve dhe mungesën e ushqimit të ngrohtë në shkollë për muaj të tërë.
Videoja e publikuar në TikTok u përhap me shpejtësi, duke grumbulluar qindra mijëra shikime dhe mijëra komente. Shumë prindër u rreshtuan në krah të nënës, duke e konsideruar gjobën të padrejtë dhe një mënyrë për të mbledhur para nga familjet. Të tjerë, megjithatë, argumentuan se nuk bëhej fjalë për gjobë, por për tarifë kujdesi pas orarit, e cila zbatohet për të mbuluar shpenzimet e stafit.
Rasti ka hapur sërish debatin mbi politikat e shkollave në Britani lidhur me vonesat dhe mungesat. Aktualisht, autoritetet lokale vendosin nëse prindërit duhet të gjobiten për mungesa të pajustifikuara, por nga vera e vitit 2026, shkollat do të kenë më shumë kompetenca për të propozuar masa ndëshkuese financiare.
Sipas rregullave në fuqi, gjobat për mungesa të pajustifikuara mund të arrijnë deri në 80 paund, ose 160 paund nëse nuk paguhen brenda afatit, dhe aplikohen për secilin prind veçmas. Ky është rritja e parë e këtyre masave pas më shumë se një dekade.
Ngjarja e Hannah Thompson ka nxjerrë në pah një realitet që shumë prindër e përjetojnë çdo ditë dhe ka rihapur diskutimin mbi balancën mes rregullave shkollore, përgjegjësisë prindërore dhe tolerancës ndaj gabimeve njerëzore.
