
Qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të kërkuar lirimin e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa atmosfera në kryeqytet është ndezur nga flamujt dhe thirrjet patriotike.
Pak orë para nisjes zyrtare të protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK që ndodhen në Hagë, qindra qytetarë janë grumbulluar në qendër të Tiranës. Thirrjet “Hashim Thaçi” dhe “UÇK” kanë pushtuar sheshin “Skënderbej”, ndërsa flamujt kombëtarë dhe ata të UÇK valviten mbi turmën.
Protestues nga të dy anët e kufirit kanë ardhur për të shprehur solidaritet me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët përballen me akuza në Gjykatën Speciale.
Edhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me makina që mbajnë flamuj dhe altoparlantë që transmetojnë thirrjet “Liri për çlirimtarët”. Në orën 17:00 pritet që protesta të marrë përmasa më të mëdha, duke shndërruar zemrën e Tiranës në një valë emocionale kombëtare.