
Palestra dhe tatuazhet ishin pasionet e tij, ashtu si edhe mbrëmjet jashtë qytetit me miqtë gjatë fundjavës. Hekuran Cumani, 23 vjeç që nga korriku, ishte ai që shpeshherë quhet gabimisht “italian i gjeneratës së dytë”, i lindur në Itali nga prindër shqiptarë, me të cilët jetonte ende në Fabriano, në rajonin Marche. “Një djalë i mirë që nuk kërkonte telashe”, kanë përsëritur të gjithë miqtë përpara hetuesve të policisë kriminale që i kanë marrë në pyetje këto orë.Ai nuk ishte një nga studentët e Universitetit të Peruxhias, ku vdiq në orën katër të mëngjesit për shkak të një hemorragjie të rëndë të shkaktuar nga një goditje me thikë mes qafës dhe fytit. Në pub-in 100Dieci kishte mbërritur vonë në mbrëmje, pas një xhiroje me miqtë nëpër pub-et e jetës së natës në Peruxhia. Gjatë verës punonte në restorantin e familjes në Senigallia, ndërsa dimrit merrej me punë të përkohshme.
Profilet e tij në rrjete sociale e tregojnë shpesh me foto ku ekspozonte trupin e palestruar dhe tatuazhet e shumta që mbulonin pjesë të ndryshme të trupit. Në Peruxhia vinte shpesh në mbrëmje gjatë fundjavës me kushëririn dhe një grup miqsh, por nuk kishte qenë kurrë i përfshirë në ndonjë problem. Dosja e tij penale ishte e pastër.