
Avioni u kap në kabllot ajrore dhe u rrëzua në dëborë, autoritetet hetojnë shkelje të sigurisë së fluturimit
Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në një resort skish në rajonin e Perm Krai, ku një helikopter tip Robinson R44 u përplas pasi u ngatërrua me kabllot e teleferikut, duke shkaktuar vdekjen e dy personave në bord.
Pamjet filmike tregojnë helikopterin teksa afrohet ngadalë mbi pistën e skive. Piloti duket se beson se ka fituar lartësi të mjaftueshme për të kaluar mbi kabllot, por pak çaste më vonë mjeti ajror kapet papritur, tërhiqet me forcë mbrapsht dhe më pas shkëputet, duke u rrëzuar dhunshëm mbi dëborë.
Sipas autoriteteve lokale, viktimat ishin dy drejtues kompanish transporti që po vizitonin qendrën rekreative Ashatly Park. Ata u identifikuan si Ilyas Gimadutdinov, 41 vjeç, dhe kolegu i tij Elmir Konrad, 40 vjeç. Të dy ishin të martuar dhe prindër.
Kompania e themeluar nga Gimadutdinov ofron shërbime transporti për industrinë ruse të naftës dhe gazit dhe kishte xhiro vjetore të konsiderueshme. Pas aksidentit, resorti i skive u mbyll menjëherë për arsye sigurie.
Raporte të pakonfirmuara sugjerojnë se fluturimi mund të mos ketë qenë i autorizuar, ndërsa burime të tjera flasin për mundësinë e ngrirjes së helikopterit gjatë udhëtimit, çka mund të ketë ndikuar në manovrimin e tij.
Autoritetet ruse kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e plota të tragjedisë, ndërsa ky aksident i shtohet një serie ngjarjesh ajrore të ndodhura gjatë dimrit, që kanë ngritur shqetësime për sigurinë e fluturimeve private në kushte të vështira atmosferike.
