
Pamjet e rënda tregojnë momentin kur helikopteri pëson defekt në rotor dhe rrëzohet mbi një godinë banimi në Dagestan
Një helikopter i tipit Ka-226, që transportonte punonjës të një fabrike ushtarake ruse, është rrëzuar në rajonin jugor të Dagestanit, duke shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Incidenti është regjistruar me video, ku shihet helikopteri duke tentuar të ulet pranë një plazhi, kur pjesa e pasme e tij prek tokën dhe rotori i bishtit shkëputet menjëherë. Piloti përpiqet të ngrihet sërish në ajër, por humbet kontrollin, duke bërë që helikopteri të rrotullohet në mënyrë të çrregullt dhe të përplaset direkt mbi një ndërtesë banimi në fshatin Achi-Su.
Mes viktimave është edhe Achalo Magomedov, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Kizlyar Electromechanical Plant, një fabrikë e cila është e sanksionuar nga Bashkimi Evropian për prodhimin e komponentëve të avionëve që përdoren nga ushtria ruse.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë zjarrfikësit duke luftuar me flakët që përfshinë ndërtesën, ndërsa helikopteri ishte shkatërruar plotësisht. Një video tjetër tregon momentin kur helikopteri përplaset në çati dhe shpërthen në flakë.
Ngjarja vjen në një periudhë përshkallëzimi të operacioneve ushtarake nga ana e Rusisë. Vetëm gjatë natës së fundit, Rusia ka lëshuar mbi Ukrainë më shumë se 450 dronë dhe 45 raketa, duke shkaktuar viktima dhe dëmtime të mëdha në infrastrukturën energjetike.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ky është një ndër sulmet më masive të javëve të fundit, teksa tensionet në frontin lindor vazhdojnë të përshkallëzohen.
