Një familje prej katër anëtarësh kanë humbur jetën tragjikisht gjatë pushimeve të tyre në Turqi. Disa ditë pasi nda nga jeta gruaja dhe dy fëmijët ka ndërruar jetë edhe babai i familjes. Ata u helmuan gjatë qëndrimit të tyre në Stamboll. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, edhe kryefamiljari vdiq.
Hetimet lidhur me ngjarjen vijojnë ndërsa 11 persona janë arrestuar. Incidenti ndodhi të mërkurën, më 12 nëntor, në një hotel në lagjen Fatih. Familja e Servet dhe Cigdem Becek kishte mbërritur në Stamboll nga Gjermania dhe po qëndronte në hotel me fëmijët e tyre, Kadir Muhamet dhe Masal.
Vonë atë natë, nëna e gjeti vajzën e saj pa ndjenja dhe njoftoi autoritetet. Masal dhe vëllai i saj më i madh, Kadir Muhamet, më vonë ndërruan jetë në spital. Nëna, Cigdem Becek vdiq dy ditë më vonë, ndërsa babai, Servet Becek, i cili u shtrua në spital me simptoma helmimi, vdiq të martën.
Autoritetet vlerësuan mundësinë e ekspozimit ndaj “fosfitit të aluminit”, një substancë e përdorur në insekticide dhe që konsiderohet jashtëzakonisht e rrezikshme për njerëzit, edhe kur thithet në sasi të vogla. Nga 50 banorët që qëndruan në hotel, tre shfaqën simptoma helmimi. Pjesa tjetër nuk përjetoi probleme shëndetësore.
Hetimi po monitorohet nga afër nga instituti mjeko-ligjor, i cili pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes së katër anëtarëve të familjes: nëse ishte për shkak të helmimit nga ushqimi apo ekspozimit ndaj substancës toksike të përdorur në dezinfektim.
