Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në GJKKO lidhur me konfliktin e tij të hershëm me Ismet Boriçin, duke dhënë detaje mbi plagosjen e tij, motivet e hakmarrjes dhe ngjarjen e armatosur të ndodhur në vitin 2018.
Sipas dëshmisë së Hoxhajt, konfliktet kanë nisur që në vitin 1999, për shkak të problemeve që një shok i tij i fëmijërisë, Vrion Kallanxhiu kishte me vëllezërit Boriçi.
Po ashtu Hoxhaj flet edhe për një konflikt në vitin 2004 ku kishte mbetur i plagosur, duke pretenduar se autor ishte, Ismet Boriçi.
“Konflikti ka ndodhur në vitin ’99–2000. Një shok i imi i fëmijërisë ka pasur probleme me vëllezërit Boriçi. Arsyeja ka filluar në vitin 2004, kur unë duke ikur për në shtëpi jam plagosur me 3 plumba. Ismet Boriçi i ka plagosur vëllain Viron Kallanxhiut, shokut tim të fëmijërisë, që tani është në burg. Boriçët janë fis i madh. U krijua një situatë kot, pa lidhje, “pse më sheh”. Ai nxori armën, unë ia kapa armën te tyta. Ai më qëlloi. Unë ika me vrap, aty më mori dikush. Unë rrija me këtë shokun tim, më shkoi mendja mua që kishte lidhje me shokun tim që më qëlloi, se unë me njeri tjetër nuk kisha probleme. E dija historinë e Vironit me Boriçin. Vironi kishte ndërmarrë një veprim ndaj tij, e kishte goditur Ismetin në ’99 në Itali. Unë doja të mbaroja punë me të. Të mbaroja punë, ta vrisja pra… ç’a ta qirasja? Ai më gjuajti mua”, ka thënë ai.
Ndërkohë ai pranoi para trupit gjykues se synimi i tij ishte hakmarrja, duke sqaruar se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni për planin e tij dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë formë.
