Një ngjarje e rëndë tronditi Britaninë mbrëmjen e 2 nëntorit, kur një burrë i moshuar u plagos rëndë teksa u përpoq të ndalonte një sulmues me thikë që po godiste pasagjerë në trenin drejt Huntingdonit.
Britania e Madhe u trondit sërish nga një sulm i dhunshëm me thikë në një tren pasagjerësh, ku dhjetë persona mbetën të plagosur. Sipas dëshmitarëve, një pensionist u përpoq me guxim të mbronte një vajzë të re që sulmohej nga agresori, duke u bërë kështu simboli i heroizmit në një moment paniku total.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 2 nëntorit, në trenin që udhëtonte drejt Huntingdonit, në lindje të Anglisë. Fillimisht, pasagjerët menduan se bëhej fjalë për një shaka pas festës së Halloween-it, derisa dëgjuan ulërimat e njerëzve që thërrisnin vraponi, po godet me thikë!.
Dëshmitari Olly Foster, në një intervistë për BBC, rrëfeu se gjithçka ndodhi përreth 10 deri në 15 minuta, por u duk sikur zgjati një përjetësi. Ai tregoi se pensionisti u hodh përpara sulmuesit për të mbrojtur vajzën e vogël, duke marrë goditje të rënda në kokë dhe qafë. Pasagjerët e tjerë përdorën xhaketat për t’i ndalur gjakun dhe për të ndihmuar viktimat, ndërsa disa mbajtën në dorë një shishe uiski për t’u mbrojtur në rast se sulmuesi kthehej në vagonin e tyre.
Sipas autoriteteve britanike, dy persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen, ndërsa dhjetë pasagjerë janë dërguar në spitaL, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Policia e transportit konfirmoi se po trajton rastin si incident madhor, dhe po bashkëpunon me njësitë antiterror për të sqaruar motivet e mundshme të sulmit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, me kryeministrin Keir Starmer që e quajti sulm të tmerrshëm dhe të papranueshëm, duke falënderuar forcat e emergjencës për reagimin e shpejtë.
Pensionisti, i cili deri më tani nuk është identifikuar publikisht, po trajtohet si hero kombëtar në rrjetet sociale, pasi guximi i tij besohet se i shpëtoi jetën vajzës së vogël dhe ndoshta shumë të tjerëve në tren.
