
Autoritetet gjermane kontrollojnë ambientet e bankës më të madhe të vendit, ndërsa aksionet reagojnë me rënie në bursë
Autoritetet gjermane kanë nisur një hetim penal ndaj Deutsche Bank, duke kryer kontrolle në ambientet e saj në Frankfurt dhe Berlin, në kuadër të dyshimeve për pastrim parash. Aksioni po udhëhiqet nga Zyra Federale e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me prokurorinë.
Banka konfirmoi se kontrollet po zhvillohen në dy qytetet kryesore financiare të Gjermanisë dhe deklaroi se po bashkëpunon plotësisht me organet e drejtësisë. Megjithatë, drejtuesit e saj nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi çështjen, duke u kufizuar në një reagim zyrtar.
Sipas mediave gjermane, prokuroria e Frankfurtit ka bërë me dije se hetimi po zhvillohet kundër drejtuesve dhe punonjësve ende të paidentifikuar të Deutsche Bank, çka tregon se procesi ndodhet në një fazë të hershme dhe mbetet i hapur për zgjerim.
Lajmi ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregjet financiare, ku aksionet e Deutsche Bank shënuan një rënie mbi 2 për qind pas publikimit të informacionit për hetimin.
Deutsche Bank ka qenë edhe më parë nën vëzhgimin e autoriteteve për çështje të lidhura me kontrollet e brendshme dhe parandalimin e pastrimit të parave, ndërsa hetimi aktual pritet të hedhë më shumë dritë mbi përgjegjësitë individuale dhe institucionale.
