
Vajza u godit në kokë në një stacion të mbushur me njerëz, autoritetet kërkojnë ndihmën e publikut për identifikimin
Policia britanike ka nisur një hetim për një rast të rëndë dhune ndaj një fëmije, i ndodhur në mes të ditës në një stacion hekurudhor të Londrës. Autoritetet kanë publikuar pamje nga kamerat e sigurisë të një gruaje, e cila dyshohet se ka lidhje me ngjarjen dhe mund të ndihmojë në zbardhjen e saj.
Sipas Policisë së Transportit Britanik, incidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të datës 20 nëntor në stacionin Balham, në jugperëndim të Londrës. Një vajzë, e moshës së shkollës fillore, po kalonte barrierën e biletave kur dyshohet se u godit në anë të kokës nga një grua që udhëtonte me të, duke u përplasur më pas me murin pranë.
Dy kalimtarë kanë ndërhyrë duke e kundërshtuar sjelljen e gruas, por sipas policisë, ajo është bërë agresive dhe kërcënuese. Pas kësaj, gruaja dhe vajza janë larguar nga vendngjarja përpara mbërritjes së forcave të rendit.
Autoritetet bëjnë me dije se po punohet për identifikimin e gruas dhe për verifikimin e gjendjes së fëmijës, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve që mund ta njohin personin në pamjet e publikuara të kontaktojnë policinë.
Hetimi vijon, ndërsa rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e fëmijëve në hapësirat publike dhe reagimin ndaj dhunës në mes të ditës.
