
Ministrja franceze e Kulturës dyshohet për pagesa të padeklaruara nga GDF Suez gjatë mandatit si eurodeputete
Autoritetet franceze kanë zhvilluar këtë të enjte një seri kontrollesh në lidhje me një hetim penal ndaj ministres së Kulturës, Rachida Dati. Sipas Prokurorisë Kombëtare Financiare, janë kryer kontrolle në banesat e saj, në Ministrinë e Kulturës si dhe në bashkinë e rrethit të 7-të të Parisit, të cilën ajo drejton aktualisht.
Veprimet hetimore janë pjesë e një procedure gjyqësore të hapur më 14 tetor, ku Rachida Dati dyshohet për korrupsion aktiv dhe pasiv, trafik influence, përvetësim fondesh publike, fshehje dhe pastrim parash, të gjitha të lidhura me ushtrimin e mandatit të saj si deputete e Parlamentit Europian.
Sipas dosjes hetimore, ministrja dyshohet se ka përfituar rreth 299 mijë euro honorare nga kompania energjetike GDF Suez në kohën kur ishte eurodeputete, pa deklaruar burimin e këtyre të ardhurave pranë institucioneve europiane. Hetimet janë besuar strukturave të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në momentin e kontrolleve, Rachida Dati ndodhej në Senat. Avokatët e saj kanë refuzuar të komentojnë çështjen, ndërsa Prokuroria Kombëtare Financiare nuk ka dhënë ende një deklaratë shtesë.
Ngjarja vjen në një moment delikat politik, teksa në Paris po intensifikohen përgatitjet për zgjedhjet vendore, ku emri i Rachida Dati është në qendër të debatit publik dhe përballjeve politike.
