
Biznesmeni Gerond Meçe dyshohet se u rrëmbye për t’u tërhequr nga gara, arrest shtëpie për Hava Delibashin dhe Mirlinda Karçanajn
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksioni i Prokurorisë së Posaçme, ku janë lëshuar disa urdhër arreste në kuadër të një hetimi të rëndë që përfshin pengmarrje, dhunë dhe shantazh për tendera shtetërorë. Sipas burimeve hetimore, biznesmeni Gerond Meçe është marrë peng me qëllim që të tërhiqej nga gara për tendera pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për Hava Delibashin dhe Mirlinda Karçanajn, ndërsa çështja po hetohet si veprimtari e një grupi të strukturuar kriminal. Gazetarja që ndjek çështjen bën me dije se bëhet fjalë për një skandal të rëndë, ku biznesmenë janë vënë nën presion ekstrem për të ndikuar në proceset e prokurimit publik.
Sipas informacioneve të siguruara, tenderat nën hetim lidhen me dy sektorë shumë të ndjeshëm. I pari ka të bëjë me mirëmbajtjen e thesarit të shtetit, ku ka dyshime të forta se grupi kriminal kishte akses në të dhëna të ndjeshme financiare, përfshirë transaksione brenda dhe jashtë vendit, informacione për shtetas shqiptarë dhe të huaj, kompani private si dhe persona të ekspozuar politikisht.
Tenderi i dytë lidhet me administrimin e dosjeve gjyqësore. Sipas SPAK, i njëjti grup dyshohet se kishte në kontroll të dhëna të detajuara mbi dosjet gjyqësore, përfshirë caktimin e gjyqtarëve dhe ecurinë e seancave, duke ngritur dyshime serioze për ndërhyrje të paligjshme në sistemin e drejtësisë.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK pritet të zbulojë të tjera detaje mbi rolin e personave të përfshirë dhe ndikimin e këtij rrjeti në proceset shtetërore dhe gjyqësore.
