
Operacioni Skadenca zbulon mijëra kuti medikamentesh të rrezikshme dhe kontrabandë që furnizonin farmacitë e qytetit
Një rast i rëndë që rrezikonte drejtpërdrejt shëndetin publik është goditur nga Policia në Fier, ku një 42-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se hidhte në treg ilaçe të skaduara dhe medikamente të futura kontrabandë.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar Skadenca, pas një hetimi disamujore të ndjekur me metoda speciale. Gjatë kontrollit në banesën dhe magazinën e të dyshuarit, policia gjeti gjithsej 4289 kuti me medikamente të ndryshme.
Nga kjo sasi, 1635 kuti rezultuan me afat përdorimi të skaduar, ndërsa 2654 kuti të tjera ishin pa faturë tatimore dhe dyshohet se ishin futur në vend në mënyrë të paligjshme. Sipas hetimeve, këto ilaçe shpërndaheshin më pas në treg, duke furnizuar disa farmaci në qytetin e Fierit, me qëllim përfitimi financiar.
Autoritetet bëjnë me dije se 42-vjeçari e ushtronte këtë veprimtari të paligjshme prej një periudhe të gjatë kohore, duke magazinuar medikamente të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi B. B., 42 vjeç, banues në Fier. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të rrezikshme, fshehja e të ardhurave, ruajtja e mallrave kontrabandë dhe tregtimi i tyre.
Policia paralajmëron se kontrollet do të vijojnë për të parandaluar raste të ngjashme dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
