
Nga Franca e Gjermania deri në Moldavi e Mal të Zi, Serbia akuzohet si trampolina e shërbimeve sekrete ruse për operacione hibride dhe trazira politike, ndërsa Beogradi zyrtar mohon përfshirjen.
Serbia është rikthyer në qendër të akuzave për përfshirjen e saj, në mënyrë të tërthortë, në aktivitete të shërbimeve sekrete ruse në Evropë. Pas një sërë arrestimesh dhe hetimesh në vende të ndryshme, duket se Beogradi po shihet gjithnjë e më shumë si një pikë kyçe e influencës ruse në Ballkan.
Më 29 shtator, Prokuroria e Lartë në Smederevo arrestoi 11 shtetas serbë, të dyshuar për një sërë aktesh diskriminuese dhe destabilizuese në Paris e Berlin. Mes veprimeve të tyre: hedhje boje të gjelbër në muze dhe restorante hebreje, vendosje koke derri pranë objekteve të fesë islame dhe mbishkrime diskriminuese para Portës së Brandenburgut. Autoritetet franceze e gjermane po e shohin këtë si pjesë të një plani për operacione destabilizuese të sponsorizuara nga shërbimet ruse.
Një tjetër rast lidhet me Moldavinë. Policia moldave publikoi pamje ku pretendohet se tregohen kampe stërvitore në Serbi të organizuara nga inteligjenca ruse. Rreth 70 persona u arrestuan, shumica të dyshuar se ishin trajnuar në Serbi për të shkaktuar trazira gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 shtatorit. Në të njëjtën kohë, Serbia arrestoi dy persona që po stërvisnin qindra moldavë dhe rumunë për përplasje të mundshme me policinë moldave
Serbia është përmendur edhe në raste të mëhershme. Në zgjedhjet e Malit të Zi të vitit 2016, disa shtetas serbë, së bashku me agjentë rusë, u akuzuan për një tentativë për grusht shteti për të ndaluar anëtarësimin e vendit në NATO. Edhe pse më vonë një gjykatë i liroi për mungesë provash, ky rast mbetet simbol i ndikimit të dyfishtë ruso-serb në rajon.
Në vitin 2019, një video e publikuar tregonte një agjent rus duke i dorëzuar një çantë me para një ish-oficeri serb. Presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi autenticitetin e videos, por e mbylli shpejt çështjen, duke theksuar se Serbia dhe Rusia mbeten vëllezër dhe duke i hedhur fajin individëve, jo Kremlinit.
Ekspertët e sigurisë në Beograd, si Predrag Petrovic nga Qendra për Politika të Sigurisë, thonë se është e pamundur që këto aktivitete të ndodhin pa dijeninë e shërbimeve serbe. “Kemi një seri rastesh, jo një episod të vetëm. Kjo nuk mund të ndodhë pa miratimin e heshtur të autoriteteve,” thekson ai.
Ndërkohë, Bashkimi Europian dhe SHBA prej vitesh e shohin Serbinë si terrenin më të ndjeshëm për ndërhyrjen ruse në Ballkan, ndërsa Beogradi, edhe pse kandidat për BE, ka ruajtur lidhje të ngushta me Moskën.
Ky zinxhir skandalesh dhe hetimesh e vendos Serbinë në qendër të debatit për stabilitetin e rajonit dhe sigurinë europiane, duke rritur dyshimet se Ballkani mbetet një nga frontet më të hapura të “luftës hibride” mes Perëndimit dhe Rusisë.