Një udhëtim turistik në Spanjë u kthye në një makth për çiftin francez Patrick dhe Evelyne Sire, kur macja e tyre, Filou, u zhduk pa gjurmë gjatë një ndalese për t’u furnizuar me karburant në Katalonjë.
Ishte gushti i vitit 2025 dhe macja u largua nga dritarja e hapur e kamperit. Për javë të tëra, pronarët e dëshpëruar kërkuan nëpër zonat e pushimit, kontaktuan shoqatat e kafshëve dhe policinë spanjolle, por çdo përpjekje rezultoi e kotë.
Me kalimin e muajve, shpresa u fashit. Filou, një mace bardh e zi, konsiderohej tashmë e humbur përgjithmonë në një vend të huaj.
Megjithatë, instinkti i kafshës po sfidonte çdo ligj të logjikës njerëzore.
Më 9 janar të këtij viti, pesë muaj pas zhdukjes, ndodhi mrekullia: një grua në Homps, vetëm 500 metra larg shtëpisë së çiftit në Francë, gjeti një mace të dobët dhe të rraskapitur. Një vizitë te veterineri, zbuloi përmes mikroçipit se macja e gjetur ishte pikërisht Filou.
Ajo kishte udhëtuar 250 kilometra në këmbë, duke kaluar male, lumenj dhe një kufi shtetëror midis dy vendeve për t’u kthyer në shtëpi.
Megjithëse kishte humbur ndjeshëm në peshë dhe ishte e ftohur, macja ishte gjallë.
Lajmi ka bërë bujë në internet dhe shumë njerëz po pyesin se si është e mundur diçka e tillë.
Shkenca e shpjegon këtë përmes kujtesës hapësinore dhe aftësisë së maceve për të përdorur si busull fushat magnetike të tokës dhe aromat.
Por për Patrick dhe Evelyne, ky nuk është thjesht një fenomen biologjik; është një histori besnikërie e jashtëzakonshme që vërteton se rruga për në shtëpi nuk harrohet kurrë, pavarësisht distancës apo vështirësive.
