Babë e bir janë arrestuar nga policia e Sarandës pasi kanë dhunuar vajzën dhe motrën tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë arrestuar në flagrancë dy shtetas, babë e bir, A. V., 55 vjeç dhe A. V., 24 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Dhuna në familje”. Ngjarja ka ndodhur në një banesë në zonën e Sarandës, ku sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. V., 23 vjeçe, vajzë e 55-vjeçarit dhe motër e 24-vjeçarit.
Pas njoftimit të marrë nga Policia, shërbimet kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke neutralizuar situatën dhe duke bërë të mundur arrestimin e dy autorëve të dyshuar. E reja ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa strukturat përkatëse kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprime të mëtejshme ligjore. Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht në parandalimin dhe goditjen e dhunës në familje, duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë.
