
I riu u godit nga një fuoristradë teksa po shtynte një automjet të ndalur, shoferi dorëzohet në polici
Një ngjarje tragjike është shënuar në Fushë-Krujë, ku është rënduar bilanci i një aksidenti të ndodhur më herët, duke përfunduar me humbjen e jetës së një të riu 18-vjeçar. Viktima, Irdi Laçi, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, 18-vjeçari është përplasur nga një mjet tip fuoristradë në momentin kur po shtynte një automjet tip Mercedes, i cili ishte fikur në mes të rrugës. Pas përplasjes së fortë, i riu mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se drejtuesi i fuoristradës është dorëzuar në polici, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit fatal. Deri në këto momente, nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi drejtuesin e mjetit apo shpejtësinë me të cilën lëvizte automjeti.
Policia ndodhet ende në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të rastit. Paraprakisht dyshohet se mungesa e ndriçimit në rrugë mund të ketë qenë një nga faktorët që kanë ndikuar në aksidentin tragjik.
