Dy ditë pas ngjarjes tragjike në fshatin Novosel, ku humbi jetën një 42-vjeçar gjatë një ndeshjeje kalçetoje, sot i është dhënë lamtumira e fundit Besfort Ruanajt.
Pronari i fushës sportive, Arben Hyso, thotë se viktima kishte qenë për herë të parë në atë kalçeto dhe po luante si portier me një grup shokësh që nuk e frekuentonin shpesh fushën.
Sipas Hysos, ndeshja kishte nisur rreth orës 23:00 dhe pas rreth 40 minutash lojë, Ruanaj u godit nga topi në zonën e kraharorit, një goditje që nuk u duk e fortë, por pas së cilës ai u rrëzua menjëherë.
Shokët tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, ndërsa ambulanca mbërriti në vendngjarje pasi 42-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Besfort Ruanaj jetonte dhe punonte prej vitesh si emigrant në Gjermani.
“Ishte hera e parë që vinte në këtë kalçeto. Ka qenë së bashku me një grup djemsh që edhe ata kishin kohë që nuk vinin në kalçeto. Gjatë ndeshjes ku 42-vjeçari ka luajtur portier, loja kishte rreth 40 min që kishte nisur, ku rreth orës 23 të mbrëmjes kishte nisur loja, kishte kaluar rreth 40 min ku 42-vjeçari është goditur me top në kraharor, por sipas administratorit të kalçetos goditja nuk ka qenë e fortë. Ai është rrezuar në tokë ku i është dhënë ndihma e parë nga shokët, por ka qenë e pamundur. Kur ka mbërritur ambulanca, 42-vjeçari Besford Runaj ka ndërruar jetë”, deklaroi Arben Hyso.
