
Sulmuesi i Afan Lido shuhet papritur, klubi dhe komuniteti sportiv reagojnë me mesazhe ngushëllimi
Futbollisti uellsian Ioan Evans ka ndërruar jetë papritur në moshën 25-vjeçare, lajm që është konfirmuar zyrtarisht nga klubi i tij, Afan Lido. Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin e futbollit në Uells, ku Evans konsiderohej një prej lojtarëve më të dashur dhe më përfaqësues të skuadrës.
Evans iu bashkua Afan Lido në vitin 2020 dhe gjatë viteve të aktivizimit të tij zhvilloi 127 ndeshje zyrtare, duke shënuar 16 gola. Përkushtimi dhe lidershipi i tij u reflektuan edhe në faktin se në disa raste mbajti shiritin e kapitenit, duke qenë një pikë reference për bashkëlojtarët.
Në reagimin e klubit thuhet se Evans ishte një njeri i përkushtuar, me karakter të ngrohtë dhe gjithmonë i gatshëm të sillte energji pozitive dhe buzëqeshje brenda e jashtë fushës. Afan Lido njoftoi se do t’u ofrojë mbështetje psikologjike bashkëlojtarëve dhe stafit, si dhe do të hapë një libër ngushëllimesh për të gjithë ata që dëshirojnë të ndajnë kujtime dhe t’i japin lamtumirën e fundit.
Ngushëllimet e klubit dhe të komunitetit sportiv shkojnë për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën Ioan Evans, i cili largohet herët, duke lënë pas një boshllëk të madh në futbollin uellsian.
