Hyn në fuqi Paqja Fiskale: Bizneset mund të rideklarojnë bilancet e 5 viteve me tatim 5%

Skema e re u ofron subjekteve të mëdha marrëveshje parapagimi të tatimfitimit dhe përjashtim nga kontrollet, me bazë tatimore të rritur dhe opsion rideklarimi pa gjoba
Nga data 1 janar ka hyrë zyrtarisht në fuqi Paqja Fiskale, një nga masat më të debatuara të paketës fiskale të miratuar në fund të vitit të kaluar. Skema synon të rregullojë marrëdhëniet mes administratës tatimore dhe bizneseve të mëdha, duke ofruar marrëveshje parapagimi të tatimfitimit në këmbim të moskryerjes së kontrolleve tatimore.
Paqja Fiskale u jep mundësi bizneseve me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit të lidhin një marrëveshje njëvjeçare me administratën tatimore, me të drejtë rinovimi deri në dy herë. Gjatë kësaj periudhe, subjektet përfituese do të paguajnë paraprakisht tatimfitimin mbi një bazë tatimore të rritur.
Parapagimi do të llogaritet mbi fitimin e tatueshëm të vitit të mëparshëm, të rritur paraprakisht me 18 për qind. Në fund të vitit, fitimi real i deklaruar do të krahasohet me këtë nivel të vlerësuar. Në rast se fitimi real e tejkalon pragun e fitimit të rritur me 18 për qind, vetëm për diferencën do të aplikohet një tatim shtesë prej 5 për qind.
Marrëveshja është vullnetare dhe nuk mund të përfitohet nga subjektet që janë nën hetim penal për mashtrim apo evazion fiskal. Aplikimi do të kryhet online përmes platformës e-Filing, ndërsa procedurat konkrete do të zbatohen nga drejtoritë rajonale tatimore pas miratimit të udhëzimeve përkatëse nga Ministria e Financave.
Një element kyç i Paqes Fiskale është edhe mundësia për rideklarimin e pasqyrave financiare të pesë viteve të fundit. Bizneset që zgjedhin këtë opsion do të paguajnë një tatim të sheshtë prej 5 për qind, pa gjoba dhe pa interesa, me kusht që deklarimi të bëhet paraprakisht dhe sipas rregullave të përcaktuara.
