Bashkimi Evropian iu përgjigj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump i cili tha se Evropa është një grup vendesh “në kalbje” e drejtuar nga liderë “të dobët”.
Në një intervistë për gazetaren e POLITICO-s, Dasha Burns, transmetuar në episodin special të podcast-it The Conversation, Trump kritikoi ashpër Evropën për të menaxhuar migracionin.
“Mendoj se janë të dobët,” tha Presidenti republikan, duke iu referuar presidentëve dhe kryeministrave të kontinentit, duke shtuar: “Mendoj se nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë.”
E pyetur nga ‘Politico’ për t’iu përgjigjur vlerësimit kritik të Trump-it, zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, mbrojti fort udhëheqësit evropianë.
“Ne jemi shumë të kënaqur dhe mirënjohës që kemi liderë të shkëlqyer, duke nisur nga drejtuesja e këtij institucioni, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të cilën jemi vërtet krenarë, që mund të na udhëheqë përballë shumë sfidave që bota po përjeton,” tha Pinho.
Ajo vlerësoi gjithashtu edhe “shumë udhëheqës të tjerë në krye të 27 shteteve anëtare që janë pjesë e këtij projekti evropian, projektit të paqes, të cilët po e udhëheqin BE-në përballë të gjitha sfidave që ajo ka, nga tregtia te lufta në fqinjin tonë.”
Pinho shtoi: “Le të shfrytëzoj këtë rast për të përsëritur ndjesinë e miliona qytetarëve në BE: Ne jemi krenarë për udhëheqësit tanë.”
Evropa është vënë në shënjestër të administratës Trump ditët e fundit, pas dokumentit të sigurisë kombëtare të SHBA-së që kritikon ashpër bllokun për censurë, pasi Komisioni gjobiti platformën X të Elon Musk me 120 milionë euro për shkelje të rregullave të transparencës.
