
Forca Shqiponja ndaloi një automjet në bulevardin Zhan D’ark, ku pasagjeri mbante armë zjarri pa leje, ndërsa drejtuesi i mjetit u procedua për moskallëzim krimi
Një operacion policor i zhvilluar në mes të Tiranës ka çuar në arrestimin e një 31-vjeçari që lëvizte i armatosur me pistoletë. Ngjarja u regjistrua në bulevardin Zhan D’ark, ku shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, finalizuan operacionin e koduar Pasagjeri.
Sipas njoftimit zyrtar, policia kishte marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte i armatosur, duke përbërë rrezik potencial për sigurinë publike. Pas verifikimeve, u ndalua një automjet tip Audi, me drejtues shtetasin S. Z., 51 vjeç, dhe pasagjer shtetasin K. S., 31 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 31-vjeçarit në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion, të cilën e mbante pa leje. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi K. S. u arrestua në flagrancë për veprën penale mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit u procedua në gjendje të lirë për moskallëzim të krimit.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon kontrollet për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje në kryeqytet.
