Një shtetas shqiptar nga Dibra, i dëbuar më herët nga Britania e Madhe për vrasje, është arrestuar sërish pasi dyshohet se u rikthye ilegalisht për të drejtuar një fermë kanabisi.
Sipas gazetës The Sun, bëhet fjalë për shtetasin Flamur Topalli ndaj të cilit ka nisur procesi i ekstradimit nga Londra drejt Tiranës. Ai është kapur në Portsmouth, ku policia zbuloi rreth 200 bimë kanabisi.
Topalli ishte dënuar në vitin 2005 për vrasjen me thikë të një roje sigurie në një lokal nate në Hove, West Sussex. Pas vuajtjes së pjesës më të madhe të dënimit 16-vjeçar në Britani, ai u transferua në Shqipëri për pjesën e mbetur dhe përfitoi lirimin me kusht në vitin 2020. Megjithatë, pas daljes nga burgu, ai dyshohet se u largua ilegalisht nga Shqipëria dhe u fut sërish në Mbretërinë e Bashkuar.
Ngjarja që çoi në dënimin e tij daton në maj të vitit 2004, kur Topalli, së bashku me dy shtetas të tjerë shqiptarë, u përfshi në vrasjen e një 25-vjeçari që punonte si roje sigurie. Viktima u sulmua pasi refuzoi t’i lejonte të hynin në ambientin ku punonte. Pas rikthimit të paligjshëm në Britani dhe arrestimit të fundit, pritet që autoritetet shqiptare dhe britanike të koordinojnë kthimin e tij për t’u përballur me drejtësinë.
