
Automjete luksoze, motorë dhe llogari bankare u bllokuan pasi pasuria u konsiderua e pajustifikuar në raport me të ardhurat e ligjshme
Prokuroria e Shkodrës ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit Brigeno Binoshaj, i dënuar më herët nga autoritetet franceze për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet rezultoi se ai dhe familjarët e tij zotëronin pasuri të cilat nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme.
Vendimi është marrë me kërkesë të prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në zbatim të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit përmes masave parandaluese kundër pasurisë. Sipas njoftimit zyrtar, verifikimet financiare kanë nxjerrë në pah një shpërpjesëtim të dukshëm mes pasurive të zotëruara dhe burimeve të deklaruara të të ardhurave.
Nga hetimi rezulton se Brigeno Binoshaj ka qenë i dënuar më parë nga autoritetet e Francë për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Ky fakt, i kombinuar me analizën e pasurisë, ka ngritur dyshime të forta se asetet janë përfituar nga veprimtari kriminale ose nuk kanë burim të ligjshëm.
Në kuadër të masës së sekuestrimit, janë bllokuar disa automjete dhe mjete motorrike në emër të Binoshajt dhe familjarëve të tij, përfshirë një Mercedes Benz S600L, një Volkswagen Golf 2.0 TDI, si dhe disa motorë të markave Piaggio dhe Yamaha. Po ashtu, janë sekuestruar të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe të familjarëve.
Prokuroria bën me dije se procedura është pjesë e një sërë masash parandaluese që synojnë goditjen e pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal, pavarësisht nëse ndaj personit ka apo jo një proces penal të hapur në Shqipëri. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa pritet që gjykata të vendosë në vijim për konfiskimin përfundimtar ose jo të pasurive të sekuestruara.
