Ditën e djeshme, JOQ Albania publikoi një video virale të një YouTuberi anglez që shfaqte një incident me një emigrant shqiptar në urën Westminster në Londër.
Shqiptari, paksa në moshë, i cili tregton bajame të karamelizuara me një karrocë të thjeshtë të improvizuar, përballet me ngacmime dhe presion verbal nga autori i videos.
YouTuberi, i identifikuar si Curtis Arnold, e filmon burrin shqiptar, duke i kërkuar leje tregtimi dhe duke e akuzuar për përfitim të paligjshme për shkak të aktivitetit të tij.
Në video, shqiptari shihet teksa përpiqet vazhdimisht të largohet me qetësi dhe mirësjellje nga situata. Megjithatë, Arnold vijon me sulme verbale dhe provokime të përsëritura, duke njoftuar edhe policinë për praninë e tregtarit në zonë. Pamjet kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë kritikuar sjelljen e YouTuber-it, duke e konsideruar atë fyese dhe diskriminuese ndaj migrantëve.
Sipas të dhënave publike, Curtis Arnold, i njohur si personi pas kanalit DJE Media, është një individ i dënuar për vepra penale të rënda. Në vitin 2019, në Harrow Crown Court, ai u shpall fajtor për 12 akuza mashtrimi, një akuzë për voyeurizëm, një për përfshirje në aktivitet seksual pa pëlqim dhe një për krijimin e imazheve të papërshtatshme të një të mituri. Gjykata e dënoi me 34 muaj burg dhe vendosi ndaj tij një Urdhër për Parandalimin e Dëmit Seksual (SHPO), i vlefshëm deri në shkurt të vitit 2029, duke e detyruar gjithashtu të regjistrohet si i dënuar për krime seksuale.
Burime të ndryshme raportojnë se Arnold aktualisht jeton në Worcestershire ose në zona të tjera të mbikëqyrura nga Thames Valley Police.
Ngjarja vijon të diskutohet gjerësisht online, duke rikthyer në vëmendje çështjen e trajtimit të migrantëve dhe etikën e përmbajtjeve që publikohen në rrjetet sociale.
