Shteti i Alabamës ekzekuton të dënuarin me gaz azoti, ndërsa Gjykata e Lartë paralajmëron për “vuajtje të panevojshme” dhe shkelje të Kushtetutës.
Shtetet e Bashkuara janë tronditur sërish nga ekzekutimi i një të burgosuri me gaz azoti – një metodë që shumë juristë dhe organizata të të drejtave të njeriut e cilësojnë si çnjerëzore. Anthony Todd Boyd, 54 vjeç, u ekzekutua të enjten në mbrëmje në burgun Holman të Alabamës, pas më shumë se 30 vitesh në pritje të ekzekutimit.
Boyd u dënua për përfshirjen e tij në vrasjen e vitit 1993 të Gregory Huguley, i cili u dogj i gjallë për një borxh të vogël droge. Gjatë momenteve të fundit, para se t’i vihej maska me azot, ai deklaroi: “Nuk kam vrarë askënd. Nuk kam marrë pjesë në vrasje. Drejtësia nuk ekziston derisa ta ndryshojmë këtë sistem.” Fjalët e tij të fundit ishin: “Hajde, ta mbarojmë!”
Sipas dëshmive të pranishmeve, Boyd përjetoi minuta të tëra asfiksie dhe dhimbjeje, duke u përpëlitur për frymë për rreth 20 minuta. Gazetarët që ndoqën ekzekutimin raportuan se ai grushtoi ajrin dhe ngriti kokën nga shtretëria, derisa trupi iu mpak ngadalë.
Gjykata e Lartë e SHBA-së kishte paralajmëruar më herët se përdorimi i gazit azot mund të shkaktojë ankth të thellë psikologjik dhe vuajtje të panevojshme, por kërkesa e Boyd për t’u ekzekutuar me skuadër pushkatimi u refuzua. Gjyqtarja Sonia Sotomayor në opinionin e saj kundërshtues shkroi: “Ai kërkon mëshirën më minimale, të vdesë me skuadër pushkatimi, në sekonda, e jo me asfiksim të tmerrshëm që zgjat minuta. Kushtetuta do t’ia garantonte këtë hir, por kolegët e mi jo.”
Guvernatorja e Alabamës, Kay Ivey, e përshëndeti ekzekutimin duke thënë se pas tri dekadash, drejtësia më në fund u vendos. Por organizatat për të drejtat e njeriut e quajtën aktin një krim të kryer nën dritën e ligjit.
Rasti i Anthony Boyd ka rindezur debatin mbi moralitetin dhe humanizmin e dënimit me vdekje në SHBA, në një kohë kur shumë shtete kanë hequr dorë prej tij, ndërsa të tjera vijojnë ta aplikojnë në forma gjithnjë e më të diskutueshme.
